ISHDPK, Agim Loci shpalos projektin per menyren e votimit te familjeve te ngujuara.

Familjet e prekura nga gjakmarrja do votojnë, Loci: Shoqërim me polici private

TIRANË- Teksa dhe pak javë na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar” është në përfundim të strategjisë për marrjen pjesë në votime të familjeve që janë të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes.

Kryetari i Institutit Agim Loci në një intervistë për News24 deklaron se shoqërimi do të bëhet nga koordinatorët dhe misionarët në rrethe dhe nga makinat e një policie private dhe se për këtë projekt ka pasur edhe një takim me kryetaren e KQZ-së.

“Do jetë një shoqërim me koordinatorët dhe me misionarët, do monitorohet nga qendra për mbarëvajtjen. Familjet do jenë nën mbikëqyrje, ne kemi kërkuar ndihmë edhe nga policia e shtetit, ata do shoqërohen nga makina të policisë private që të votojnë si të gjithë shqiptarët”, tha Loci.

Ai më tej shpjegon se projekti shtrihet në 6 qarqe të vendit dhe se janë rreth 300 familje të prekura nga fenomeni, ndërsa qarku me i prekur është ai i Shkodrës dhe më pas vjen ai Lezhës.

“Qarku me më shumë familje është ai i Shkodrës. Nëqoftëse në do dërgonim kutitë nëpër shtëpitë e tyre do të thotë që të legalizojmë ngujimin e tyre. Është më mirë të dalin të votojnë”, thotë ai.

Sipas Agim Locit, kohët e fundit vihet re një ulje e rasteve të gjakmarrjes pasi shqiptarët po ndërgjegjësohen dhe po i shtrinë dorën njëri-tjetrit për pajtim.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *