Shqipëri: Mbi një mijë familje në gjakmarrje si do të votojnë më 8 maj
Në zgjedhjet vendore në Shqipëri problematikë e vecantë për të drejtën e votës janë familjet e ngujuara në zonat veriore të vendit.
Më shumë se një mijë familje janë të ngujuara për shkak të gjakmarrjes dhe se ato do të kenë vështirësi për të shprehur të drejtën e votës. Numri më i madh i familjeve të ngujuara janë në Shkodër dhe rrethinë.
Drejtori i Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar”, Agim Loci thekson se po bën përpjekje që këto familje të shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Instituti ynë ka angazhuar 50 misionarë të cilët do të shoqërojnë personat e ngujuar deri në vendvotime, sepse edhe familjet e kësaj kategorie kanë të drejtën e votës”, theksoi Loci.
I pyetur lidhur me rrezikun se a mundet të ndihmojë policia në evitimin apo parandalimin e ndonjë incidenti të mundshëm me këto motive, Loci theksoi se pjestarët e këtyre familjeve mund të rrezikohen në ato zona të të votimit, ku nuk është e pranishme policie.
“Ne po bëjmë cmos që familjet që kanë probleme të tilla të gjakmarrjes të mos takohen në ditët e votimit”, theksoi drejtori i këtij Instituti, Agim Loci.
Në Shqipëri po zhvillohen debate lidhur me cështjen e gjakmarrjes dhe se deri tani nuk është ofruar asnjë zgjidhje për të zgjidhur këtë plagë të rëndë që po mbretëron në veriun e Shqipërisë.