Agim Loci, ISHDPK. Pronësia, një ndër shkaqet që çon në gjakmarrje, Loci: 700 familje në vend janë të prekura nga ky fenomen!

Pronësia, një ndër shkaqet që çon në gjakmarrje, Loci: 700 familje në vend janë të prekura nga ky fenomen!Çështja e pronësisë ka qenë arsyeja që dy familje në Fan të Burrelit prej vitesh ishin futur në një konflikt të vazhdueshëm, i cili shkoi deri në plagosjen e një prej anëtarëve të tyre. Kryefamiljari S.Q. tregon për “77 News” se situata mund të përfundonte edhe më keq. Por ka qenë Instituti i Pajtimit Kombëtar i cili ka mundësuar që krerët e familjeve të shtrijnë dorën e pajtimit. E takuam njërin prej tyre në këtë institucion. S.Q. tregon se pajtimi u bë në 5 qeshor. “U negociua për disa muaj, derisa arritëm në pajtim”, tregon ai. Kryefamiljari nuk dëshiron të tregojë më shumë detaje, pasi sipas tij çështje të tilla janë delikate në momentin kur bëhen publike. “E ndava me ju këtë eksperiencë pasi është mirë të japim mesazhin se duhet të dimë të falim, duhet të parandalojmë hakmarrjen dhe gjakmarrjen, si forma të shëmtuara të cilat kushtojnë jetë njerëzish”, përfundon ai. Histori të tilla sipas të dhënave që marrim nga instituti sa vijnë e bëhen më të shpeshta. Aktualisht 700 familje në vendin tonë janë të përfshira nga konflikti dhe fenomeni i gjakmarrjes. Sipas Agim Locit, kreut të këtij institucioni i cili ka degë në 80 për qind të territorit shqiptar si edhe jashtë vendit, situata në vend kohët e fundit është tepër e acaruar. Rasti i vrasjes së vajzës 17-vjeçare Marias, në Shkodër që shokoi të gjithë opinionin publik në vend, si dhe rastet e tjera të ditëve të fundit e dëshmojnë këtë fakt. Sipas tij çdo vrasje duhet të marrë gjykimin e duhur dhe autorët të dënohen maksimalisht. “Po vriten nën emrin e kanunit dhe të gjakmarrjes shumë persona, por në mënyrë abuzive pasi pak e njohin kanunin dhe në emër të tij nuk vriten fëmijë, vajza dhe gra  thotë për “77 News” Loci.

– Sa familje nëpërmjet punës suaj kanë falur gjakun dhe aktualisht keni çështje të tjera në proces?

Instituti është themeluar në vitin 2009, si nevojë për t’u ardhur në ndihmë familjeve që janë të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes. Vitin 2011 e konsideroj si vit suksesi, pasi realizuam 22 pajtime. Ndërsa në 6 muajt e parë të këtij viti kemi bërë 6-të pajtime dhe jemi në prag të 5-së të tjerave. Kemi gjithashtu 40 procese të tjera pajtimi dhe shpresojmë t’i mbyllim brenda këtij viti. Ky vit është quajtur viti i paqes e pajtimit dhe dëshirojmë që të kontribuojmë në këtë 100-vjetor të pavarësisë duke pajtuar sa më shumë familje.

-Keni ndjerë vështirësi gjatë punës suaj ?

Kohë më parë u ndeshëm me një rast të vështirë në Lezhë. Teksa u dha fjala nga krerët e familjeve që ato do falnin dhe do pajtoheshin, një i afërm i largët i tyre ndërhyn dhe pajtimi u pengua. Askush nuk ka të drejtë të pengojë faljen me apo pa kanun, madje as me logjikë. Megjithatë ne nuk ndalemi, me këmbëngulje vazhdojmë dhe nuk kthehemi pas. Do të vazhojmë misionin dhe do ta përmbushim atë.

– Ngjarjet e ditëve të fundit kanë tronditur jo vetëm opinionin shqiptar, por dhe atë ndërkombëtar. Ju keni patur takime me krerë të ambasadave të huaja në vendin tonë. Ku u përqëndrua biseda me ambasadorin Arvizu?

Kjo plagë e shoqërisë shqiptare ka ngjallur shqetësim dhe në rangje ndërkombëtare. Për këtë u prita edhe nga ambasadori i SHBA- së, Aleksandër Arvizu dhe biseda me të u përqëndrua në disa drejtime. Ku veçoj, punën që duhet bërë për parandalimin e vrasjeve për gjakmarrje, hartimin e një ligji për dënimin, me qëllim që ai të jetë më i rreptë. Ne po merremi me hartimin e tij për t’ia kaluar më pas qeverisë. Më tepër inters Z. Arvizu shfaqi për të mësuar lidhur me mënyrën e jetesës së këtyre familjeve, të cilat kanë probleme ekonomike, sociale dhe psikologjike.

-Keni gjetur mbështetje nga policia e shtetit për misionet që ju zhvilloni?

Vitet e fundit këto struktura janë forcuar dhe na kanë mbështetur në punën që bëjmë. Kam patur në krah gjatë proceseve të pajtimit dhe Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Drejtësisë. Shpeshherë edhe vetë policia ka hasur probleme nga mentaliteti i shqiptarëve, të cilët nuk denoncojnë dhe kërkojnë t’i zgjidhin vetë konfliktet.

 

Eriselda Maritini

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *